Mbërriti pak vonë, por nuk e pati problem. Tomas Strakosha fluturoi menjëherë drejt Gjermanisë ku skuadra e tij e re, Brentfordi, është në fazë përgatitore, dhe pa humbur kohë dha intervistën e parë zyrtare për televizionin e klubit. Portieri kuqezi e nisi me një ngacmim për intervistuesin kur u ngjitën në mjetin elektrik. A jeni i sigurt që dini ta ngisni? Pyetja e parë ishte ajo e përhershmja, pra si ndihej me Brentfordin?
“Ndihem shkëlqyeshëm, – tha shqiptari, – me shumë energji pozitive, djemtë më pritën shumë mirë, po ashtu trajneri. Më bënë që të ndihesha menjëherë shumë mirë. Unë do të përpiqem të përgatitem sa më mirë dhe të jem në formë për sezonin”.
Nga futbolli italian në atë anglez nuk është ndryshim i vogël.
“Natyrisht që ky është një ndryshim i madh për mua, sepse kam qenë për 10 vjet te skuadra ime e mëparshme, Lacio, – u shpreh ai, – Unë i uroj shokëve të mi të mëparshëm vetëm të mira. Unë u rrita atje dhe fitova disa trofe. Kam vetëm kujtime të bukura. Gjithsesi, ishte një ndryshim që unë e doja dhe sidomos e kisha ëndërr që të vija në Premier Ligë .Jam shumë krenar pasi si shqiptar nuk gjen shumë shembuj në Premier Ligë. Shpresoj të jap më të mirën, të paraqitem mirë dhe t’u tregoj të gjithëve se shqiptarët mund t’ia dalin me sukses në Premier Ligë”.
Gazetari i Brentfordit u habit që Tomasi ka lindur në Greqi, por luan për Shqipërinë?
“Unë e dua Greqinë, kam lindur aty, por unë jam shqiptar, – theksoi ai, – Prindërit e mi janë shqiptarë dhe unë ndihem shqiptar. Unë e dua origjinën time. Babai im ishte kapiteni i kombëtares, një gjë e madhe. Unë kam mësuar shumë prej tij, sidomos në momentet e vështira. Jam shumë i nderuar që jam në kombëtare”.
Kështu ka nisur aventura e re e Tomas Strakoshës, në një ekip të ri dhe në një kampionat shumë të ashpër për portierët si ai anglez.
Sfidanti.al