Janë dy “të çmendur” sipas mënyrës së tyre, pra secili origjinal në vetvete, ndonëse Luis Suarez e bëri një “shkallim” edhe në Moskë në ndeshjen e Championsit, ndërsa Diego Pablo Simeone nuk ia doli, sepse Atletiko e tij nuk fitoi në fushën e Lokomotivës vendase. Përfundoi 1-1 në stadiumin e “hekurudhorëve” me gola të shënuar nga Hose Himenes për miqtë në 18’ dhe Anton Mirançuk në 25’ me penallti, ndërsa Luis Suarez mori karton të verdhë pikërisht kur po shqyrtohej rasti i penalltisë me teknologji.
Uruguajani shkoi pranë arbitrit dhe po shikonte ekranin e monitorit të VAR-it, kur u afrua arbitri anësor dhe e këshilloi që të largohej. Kryesori nxorri pastaj të verdhin, pavarësisht protestave të sulmuesit. Sa për Simeonen, ai nuk u kënaq plotësisht ndonëse e vlerësoi ekipin e tij. “Luajtëm ndeshjen që duhej të luanim, – tha tekniku, – por, na mungoi saktësia para portës, ndërsa portieri i tyre luajti shumë mirë”. Atletiko është në vendin e dytë në grup me Bajernin që kryeson bindshëm.
Sfidanti.al