Pritej më e vështirë për anglezët, sidomos, aq më tepër për shkak të mungesave që kishin. Liverpuli luajti me formacion jo shumë të natyrshëm në fushën e Atalantës në Champions, por sërish ia doli madje 5-0. Një fitore që tregon se skuadra e trajnerit Jurgen Klop është e frikshme kur ndodhet në ditën e saj, dhe se është një “makineri fitoresh” që nuk pyet për mungesën e disa “pjesëve”, qofshin edhe të rëndësishme. Në qendër të mbrojtjes munguan Van Dajk, Matip dhe Fabinjo, ndaj Klopi çiftoi Gomezin me Uilliamsin, ndërsa në mesfushë luajti një tjetër rezervë si Kërtis Xhons, pasi Tiago Alkantara nuk është i gatshëm.
Në sulm, Diogo Zhota u vlerësua si titullar përpara Roberto Firminos, dhe portugezi shënoi 3 gola. Nga një realizuan Salah e Mane. Atalanta këtë herë nuk mundi të bënte gjë, dhe përvoja e klasin ndikuan shumë. Berat Gjimshiti e pa veten në një nga ditët më të vështira në karrierë, bashkë me shokët e skuadrës si Sportielo, Palomino, Toloi, Frojler, Pashaliç, Hatebër, Gomes, Zapata e Muriel. E pamundur qoftë edhe “të prekej” superfuqia angleze.
Bajerni pritej që t’ia dilte ndonëse ndeshja në Austri doli e vështirë. Mërgim Berisha kaloi vendasit në epërsi, një meritë e madhe për djaloshin 22-vjeçar me origjinë nga Kosova dhe që luan për Gjermaninë U21, lindur në Bertesgaden. Pra, një i lindur në Bavari godet bavarezët. Gjithsesi, kampionët e Europës nuk janë nga ata që e humbasin toruan dhe reaguan me anë të Levandovskit me penallti dhe autogolit të Kristensenit. Pasi japonezi Okugaua dha sërish shpresë për Salcburgun në 66’, Boateng, Sane, Levandovski dhe Lykas Hernandes vulosën shifrat. Liverpuli e Bajerni kanë nga 9 pikë në grup, pra me nga 3 fitore të plota, por gjermanët kanë golaverazh pak më të mirë, 12-3 ndaj 8-0.
Sfidanti.al