Goli i 100-të i Ramosit dhe Reali fiton finalen e parë ndaj Interit!

Përfundimi është ky, Madridi ia doli në sfidën e radhës që ishte si një ndeshje fundore, ndërsa zikaltërit mbetën të fundit në grup! Ky është shpjegimi aktual i renditjes në Champions, pas triumfit të vështirë 3-2 që Reali arriti ndaj Interit në ministadiumin “Alfredo Di Stefano”. Ishte ndeshja ku Sergio Ramos shënoi golin e 100-të për Realin, nga të cilët 55 i ka realizuar me kokë, ku mungoi Romelu Lukaku për italianët, dhe ku fitorja u quajt “Made in Brazil” nga e përditshmja “AS”.

Ishte festë e Zinedin Zidanit, ndërsa skuadra e tij me shumë përvojë europiane përballoi presionin. Shënuan në fillim Karim Benzema e pikërisht Sergio Ramos, por milanezët patën forcë dhe karakter për të reaguar. Lautaro Martinez dhe Ivan Perishiç barazuan shifrat, veçse në minutën e 80-të ishte zëvendësuesi Rodrigo që shënoi golin e fitores. Brazilianit i mjaftuan 15 minuta pasi hyri në vend të Marko Asensios.

Pavarësisht mungesave, Reali pati në fushë një ekip të fortë me treshen e sulmit Hazar-Benzema-Asensio dhe me treshen e mesfushës Valverde-Kasemiro-Kros. Në mbrojtje ishin Mendi, Ramos, Varan dhe Lukas Vaskez, ndërsa në portë Kurtua. Interi ishte me më pak përvojë, dhe kjo humbje mund të kushtojë. Gjithsesi, nëse fiton në “San Siro” gjërat do të ndryshonin dhe presioni do të ishte më shumë i Realit.

Sfidanti.al