E kush tjetër veç Valencias mund ta “zgjonte” Realin nga “ëndrra”?!

Nëse do të shkonim andej nga fryn era, sot do të merrnim “shkopin” dhe do t’i hynim “vendçe” Realit. Ku shkuan kampionët e Spanjës, të Europës dhe të Botës? Ku shkuan ata që turpëruan dy herë Barcelonën me shifrat e përgjithshme 5-1 në Superkupë? E pra, e shmangën vetëm në minutën e 83-të turpin e tyre, humbjen brenda në “Santiago Bernabeu” ndaj Valencias! Mirë që në fushë ishte “një farë” Marko Asensio, autor i të dy golave.

Gjithsesi, nuk mund të shkojmë nga fryn era, ndaj edhe duhet të kujtojmë se futbollistët e Zinedin Zidanit nuk janë makina, as robotë, por njerëz, dhe se sukseset e jashtëzakonshme të 15 muajve të fundit nuk mund të mos ndikonin tek ata. Për më tepër, përballë patën “macen e zezë”, Valencian, që ia ka nxirë jetën në Madrid dhe në “Mestaja”. Jo pak rol luajtën tri mungesa kardinale, si ato të Kristiano Ronaldos, Sergio Ramosit dhe Rafael Varanit. Shto këtu, Alvaro Moratën e larguar tek Çelsi dhe Pepen që nuk dihet ku është, dhe kupton se edhe Reali mund të kalojë momente të vështira. Në fund të fundit, asnjë titull nuk vendoset në gusht, dhe më mirë të gabosh tani sesa në maj. Ngaqë nuk shkojmë nga fryn era, e dimë se Madridi nuk do të jetë pa konkurrent, pasi edhe Barcelona nuk besohet të jetë gjatë gjithë sezonit kaq keq sa në gusht.

Sfidanti.al