Ishin përballë dy skuadra të forta sipas mënyrës së tyre. Fitoi ajo që kishte më shumë përvojë, më shumë vite në skena të tilla dhe që ishte më realiste. Vijarreali në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, dhe Atalanta zbret në Ligën e Europës. Ishte një betejë si ajo me temën “e bukura dhe bisha”, ndonëse duhet t’i japim hakun spanjollëve që nuk vodhën gjë. Gjithsesi, bergamaskët i qendruan besnikë versionit të tyre të “hirushes” së Europës, ekipit që di të luajë futboll edhe pse mund të jetë naiv. Nën rezultatin 0-2 që në pjesën e parë, në 0-3 pas 51 minutash lojë, skuadra e trajnerit Gasperini nuk u dorëzua. Shënoi 2 gola me Malinovskin dhe Zapatën, goditi edhe 3 shtylla, dhe u “vra me nder”. Berat Gjimshiti (në foto) luajti pjesën e dytë, pasi Gasperini vendosi të ndryshonte mbrojtjen që po gabonte shumë. Ylli i kombëtares shqiptare ishte pjesë e ofensivës për “jetë a vdekje” dhe pati meritat e tij në 45 minutat e dyta.
Skuadrat e kualifikuara në Champions
Vazo 1: Mançester Siti, Liverpuli, Ajaksi, Reali i Madridit, Bajerni i Mynihut, Mançester Junajtidi, Lila, Juventusi.
Vazo 2: Paris SG, Atletiko e Madridit, Sportingu i Lisbonës, Interi, Benfika, Vijarreali, Salcburgu, Çelsi.
Sfidanti.al