Kur arrin t’i nxjerrë fjalët nga goja, padyshim që i ka menduar disa herë dhe është bërë gati të akuzojë. Tomas Tuheli nuk foli në mënyrë aq të drejtpërdrejtë, por ajo që tha mjafton të vendosë në dyshim të fortë kredibilitetin e klubeve të Premier Ligës, të paktën të ndonjërit prej tyre. “Unë shpresoj fuqimisht, fuqimisht, – tha trajneri i Çelsit kur u pyet nëse klubet po kërkonin një avantazh sportiv nëpërmjet rregullave për Kovidin, – që të mos jetë kështu, ndryshe unë do të isha shumë, shumë i zemëruar. Ne po bëjmë gjithçka që ndeshjet të luhen, dhe ne kemi luajtur edhe kur ndoshta nuk duhej të kishim luajtur. Unë thjesht mund të shpresoj fuqimisht që rregullat të jenë të njëjta për të gjithë”. Me gjasë, Tuheli e ka fjalën për Liverpulin që shtyu ndeshjen e Kupës së Ligës me Arsenalin, ndërsa “topçinjtë” shpresojnë të shtyjnë ndeshjen e radhës. Çelsit iu refuzua një shtyrje në barazimin 0-0 me Uolvesin në Premier Ligë.
Sfidanti.al