E gjithë kjo histori mund të cilësohet si një “furtunë në gotë”. Kritikat, dyshimet dhe akuzat për trajnerin e kombëtares, dhe besimi se kishte ardhur koha për ndryshim, duket se do të lihen pas krahëve, sepse Edi Reja me shumë gjasa do të konfirmohet. Tekniku italian, edhe pse sapo ka mbushur 77-vjeç, ende gëzon besimin e Armand Dukës, dhe ndonëse nuk ka asnjë lloj konfirmimi, sërish pritet që ndryshimi ytë mos ndodhë. Burime mjaft të informuara në FSHF bëjnë me dijë se presidenti do të ketë në nëntor bisedime me Rejën, dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që të rinovohet kontrata edhe për eliminatoret e Kampionatit Europian të vitit 2024. Në fund të fundit, e tillë ka qenë marrëveshja që kur u nënshkrua akordi mes palëve në prill 2019.
Gjithsesi, Duka ka pasur bisedime edhe për të siguruar alternativa të tjera për çdo rast, dhe vazhdimisht në Federatë është pohuar se ka pasur dhe ka kandidatë nga Italia apo Kroacia. Gjithsesi, burimi i mësipërm bën me dijë se ëndrra e madhe e presidentit ka qenë Marko Xhampaolo, një trajner i njohur italian, sot 55 vjeç, po aq sa mosha e Xhani De Biazit kur mori drejtimin e kombëtares. Xhampaolo është trajner me përvojë që ka drejtuar edhe Milanin, Sampdorian dhe Torinon, me një karrierë 18-vjeçare në të cilën numëron mbi 400 ndeshje në profesion, një pjesë të madhe të të cilave në Serinë A.
Sfidanti.al