Ndërsa sytë e gjithë Gjermanisë dhe të një pjese të mirë të botës janë përqëndruar tek një duel i mundshëm i dy sulmuesve, sot në mbrëmje në “Alianc Arena”, sfida Bajern-Dortmund do të ketë mungesa të rëndësishme. Në avionin e Borusias të premten pasdite nuk hipën Xhejdën Sanço, Rafael Gerrero dhe Giovani Reina. Dy të parët ishin viktima të sforcimit të bërë në Kupën e Gjermanisë, ku Dortmundi kërkon të fitojë trofeun, dhe dolën nga loja gjatë fitores 1-0 në çerekfinalen e luajtur në fushën e Gladbahut. Një problem i madh për trajnerit Terziç.
Gjithsesi, dueli kryesor do të jetë Levandovski-Haland, ndonëse nuk do të jetë ai që do të vendosë fatin e ndeshjes. Polaku i Bajernit ka shënuar 28 gola në 22 ndeshje deri tani në Bundesligë, nuk humbet shumë raste dhe ndihmon ekipin duke dhënë 8 asistë. Po Halandi? Ende nuk e ka përsosmërinë e Levës, por është në rritje. Norvegjezi ka shënuar 17 gola dhe ka shërbyer 5 asistë në Bundesligë, si dhe 8 herë në Champions. Ai është vetëm 20 vjeç dhe me të drejtë trajneri i Bajernit, Hansi Flik, thotë se “Halandi ka gjithçka që i duhet një sulmuesi të madh, e ardhmja mund t’i përkasë atij, ashtu si Leva ai ka uri të pashuar për gola”. Bajern-Dortmund luhet sot në orën 18:30, por dy ekipet kanë diferencë në pikë, pasi bavarezët kanë 52 e verdhezinjtë 39 duke qenë në vendin e 5-të jashtë zonës Champions.
Sfidanti.al