Drejtësia spanjolle duhet të mbrojë nderin e saj ndaj Ronaldos!

Drejtësia gjermane ia doli të tregonte integritetin dhe forcën kur presidenti i plotfuqishëm i Bajernit, Uli Hënes, përfundoi në qeli. Nuk është se mori dënim të rëndë, por gjithsesi bëri burg, për akuzën e shmangies nga pagimi i taksave. Në Spanjë, përpjekjet ndaj skandaleve të tillë kanë përfunduar si flluskë sapuni, sidomos kur Lionel Mesi mori dënim nën 2 vjet dhe ligji, “papritur e pakujtuar” këtë dënim lejonte ta kthenin në gjobë.

Kristiano Ronaldo kishte radhën për të dalë përpara bankës së të akuzuarit, pasi prokuroria e akuzon për shmangie prej gati 15 milionë eurosh nga pagesa e taksave, nëpërmjet marifeteve të ndryshme për t’i shpëtuar ligjit. Kjo akuzë mund të “përkthehet” në 7 vjet burg, ndonëse mediat spanjolle shkruajnë se mund të zbritet deri në 21 muaj, pra me siguri duke u aplikuar neni i famshëm për gjobën. Gjithsesi, rëndësi ka që dënimi të jepet, edhe nëse ylli i Realit nuk futet në burg. Të paktën, do të hiqet një mundësi për t’iu shmangur taksave, dhe ato taksa do të thonë më shumë ndihmë sociale, më shumë vende pune, më shumë shkolla e spitale për spanjollët e thjeshtë, që po kalojnë një krizë të vërtetë ekonomike me 25 për qind të rinisë të papunë.

Sfidanti.al