Transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit botëror ndodhet, tani, pranë fundit dhe Nejmari, deri në fund të kësaj jave, do të bëhet lojtar i ri i PSZH-së për shumën rekord prej 222 milionë eurosh. Tani, dihen edhe të gjithë detajet dhe sesi do të rrjedhë i gjithë operacioni i transferimit. Nejmari, fillimisht, do të shkojë në Kinë, për shkak të disa angazhimeve sponsorizuese, kurse, më pas, do të zbresë në Katar, ku do të nënshkruajë një marrëveshje sponsorizimi me “Qatar Sport Investments” me vlerë prej 300 milionë eurosh. Me këto para, Nejmari do ta paguajë “VETË” klauzolën e blerjes së tij prej 222 milionë eurosh, plus 40 milionë euro që do të duhet të përfundojnë në xhepat e të atit (menaxherit) të tij si provizion i transferimit. Ky, në thelb, është plani i PZSH-së për “driblimin” e fair play-t financiar dhe qëndrimin brenda normave financiare të UEFA-s, ndërkohë që Barcelona, tanimë, ka përgatitur ankesën për t’ia paraqitur asaj (UEFA-s).
Nejmari do të nënshkruajë me “shenjtët” një kontratë me “peshë” prej 35 milionë eurosh për sezon (neto), plus 40 milionë euro si bonuse për katër vite. Pritet që, sot, i ati i Nejmarit të takohet me presidencën e Barcelonës dhe të marrë edhe 26 milionë euro të tjera nga ky klub si provizion për kontratën që Nejmari nënshkroi me katalonjasit, në tetor të vitit të kaluar.
Sfidanti.al