Ka qenë kryetar bashkie, kryeministër, zv. kryeministër dhe ministër. Një njeri që di të flasë, që ka qenë dhe mbetet pjesë e politikës, madje e forcës kryesore të saj në Shqipëri. Nëse dikush donte një rival për Armand Dukën, ja ku e ka Bashkim Finon. Deputeti i Partisë Socialiste, njeriu që përdori ndeshjet e futbollit për të veshur me mbathje të shkurtëra politikanët dhe për të zbutur Shqipërinë e 97-ës kandidoi për të qenë president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Që nga viti 2002 kur u bë për herë të parë numri 1 i FSHF-së, Duka ka gjetur kundërshtarin më të fortë. Jo thjesht për emrin dhe staturën, që në Shqipëri vlejnë, por nuk janë vendimtare, por sidomos për disa armë të hapura dhe të fshehta që mund t’i ketë vetëm një politikan dhe biznesmen. Besohet se Fino është i të dyja kategorive dhe në këtë vend asnjë garë, me përjashtim të njërës, nuk është fituar nga kundërshtarët e tyre. Kjo garë e vetme ka qenë për kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar kur “gjysmë perëndia” Agim Fagu mundi pa konkurrim Esat Ademin.
Pyetja që nxit më shumë: A do të mobilizohet politika në favor të Finos? Le të lemë mënjanë skrupujt moralë dhe pengesat ligjore, apo kur kujton flirtin e ndezur vitet e fundit midis kreut te futbollit dhe politikes. Realiteti ka treguar se loja nuk ka penguar kurrë dikë të rëndësishëm që të konkurrojë dhe të fitojë. Bindja është se futbo-politika eshte loja qe kemi pranuar me zell, aq sa palet nuk mund te qahen per tradheti nga njera -tjetra.
Fino deklaroi se po hyn në garë për të përmirësuar imazhin e futbollit. Ai vuri gishtin në një plagë që është ajo e dosjeve që duhet të shkojnë në prokurori, lidhur me trukimet dhe me lojën me arbitrat. “Të kthejmë imazhin në interes të publikut shqiptar”, “të kthejmë besimin për lojën e ndershme”, “Federata duhet të jetë në ballë të punës me komisionet e Etikës”, “nuk ka asnjë dosje që ka vajtur në prokurori”, “ka ardhur koha për futboll të pastër që njerëzit të vijnë në stadium, pasi kush vjen kur ajo ndeshje është e mbyllur dhe nuk është rezultat fushe”. Këto janë disa nga shprehjet e Finos në emisionin e TVSH-së ku shpalli kandidaturën.
Po ashtu, ai deklaroi se do të ndihmojë me investime për fusha stërvitore dhe “jo vetëm në 10 qytete”. Asnjë fond, theksoi ai, nuk do të jetë i fshehur, duhet të jetë transparent. E gjithë kjo platformë është shumë e mirë, por Bashkim Finos sigurinë se mund të fitojë mund t’ia japin vetëm “fijet e interesit” me krerët e klubeve që kanë të drejtë vote dhe jo mendimi pozitiv apo negativ i publikut që do futbollin.
A do të fitojë Fino përballë Dukës? Një gjë mund të thuhet me siguri: Nëse nuk fiton ai, kush mund të fitojë tjetër?
Sfidanti.al