Etrit Berisha dihej se do të ishte titullar, por habia ndodhi me Thoma Strakoshën. Portieri i dytë i Lacios u hodh në formacion që nga minuta e parë nga trajneri Inzagi, ndërsa e diela ishte e shkëlqyer për të dy. Etriti ia doli me Atalantën ndaj Romës në stadiumin e tij, ndërsa Thomai triumfoi me Lacion ndaj Xhenoan, po në fushën e vet.
Në Bergamo, Berisha bëri pritje, por Roma kaloi në epërsi falë penalltisë së kthyer në gol nga Diego Peroti, por përballja ndryshoi kah pas pushimit. Atalanta barazoi me golin e Kaldarës, ndërsa arriti fitoren po me penallti. Frank Kesi ekzekutoi saktë në 88’ dhe Atalanta u ngjit në vendin e tretë së bashku me Lacion, vetëm një pikë prapa Romës, me 25.
Lacio po ashtu po zhvillon një kampionat shumë të mirë. Suksesi 3-1 ndaj Xhenoas ishte i merituar, edhe pse miqtë barazuan përkohësisht. Felipe Anderson shënoi golin e parë për kryeqytetasit, Okampos shënoi për 1-1, ndërsa Luka Bilia me penallti dhe Uollas i dhanë suksesin Lacios. Strakosha e bëri pjesën e tij, duke realizuar disa pritje.
Frederik Veseli ishte në fushë në katastrofën e Empolit, 0-4 në fushën e vet me Fiorentinën. Ajeti ndërkaq qendroi në stol për Torinon që fitoi 2-0 në fushën e Krotones, me heroi përsëri Andrea Belotin.
Ndeshjet: Sampdoria-Sasuolo 3-2, Atalanta-Roma 2-1, Bolonja-Palermo 3-1, Lacio-Xhenoa 3-1, Krotone-Torino 0-2, Empoli-Fiorentina 0-4.