Numri 1 nuk është, por mund të bëhet menjëherë sonte në mbrëmje. Novak Gjokoviç duket se ka gjetur “ilaçin” për të lënë pas “pikiadën” katastrofike të gjysmës së dytë të vitit, në prag të finales ndaj Andi Marrejt në “Finalet e Turit Botëror ATP” në Londër. Tenisti serb dha një mesazh kuptimplotë në gjysmëfinalen ndaj Kei Nishikorit, duke fituar thellësisht 2-0 (6-1, 6-1).
Japonezi i kishte nxjerrë “qumështin e nënës” Marrejt në përballjen ne grup, duke e detyruar të luajë 3 orë e 20 minuta për fitoren, ndërsa ndaj Noles nuk pati asnjë shans. “Java ime po shkon siç duhet, – u shpreh ai pas ndeshjes, – në dy ndeshjet e fundit nuk kam bërë thuajse asnjë gabim”. Për ndeshjen ndaj Marrejt, Gjokoviç u shpreh se “le ta shfrytëzojmë këtë rast për të bërë një ndeshje të madhe, unë jam krenar që mund të bëj historinë së bashku me Andin”.
Gjokoviç është kampioni në fuqi në Londër dhe do të kërkojë titullin e pestë radhazi. Fitorja sonte në Arenën “O2” do ta nxirrte sërish në vendin e parë në botë.