Ka talent si pak të tjerë, por kjo nuk është gjithçka. Futbolli profesionist kërkon edhe shumë pjekuri e duket se këtë element nuk e ka në nivelin që duhet Paulo Dibala. Ylli argjentinas i Juventusit krijoi një tjetër krizë në karrierën e tij, ndërsa u gjobit për shkelje të masave kufizuese për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Sipas mediave italiane dhe atyre europiane, klubi piemontez po mendon ta largojë futbollistin ofensiv dhe të fitojë të paktën 50-60 milionë euro nga kartoni i tij.
Dibala mori pjesë në një festë për gati 20 vetë, në shtëpinë e mesfushorit tjetër juventin, Mekkeni, në prani edhe të brazilianit Artur. Karabinierët shkuan në vendngjarje, të lajmëruar mesa duket nga fqinjët, dhe gjobitën të paktën 10 persona, mes të cilëve edhe tre lojtarët e Juventusit. Kjo krijoi polemika në Itali dhe trajneri Andrea Pirlo vendosi të mos i grumbullonte lojtarët për derbin e kësaj fundjave ndaj Torinos në Serinë A.
Dibala ka qenë pjesë e polemikave tek “Zonja e Vjetër” për një kohë të gjatë. Sulmuesi 27-vjeçar duket se nuk është ndjerë mirë që është lënë në hije nga Kristiano Ronaldo, dhe ka pasur probleme me trajnerët Sarri e Pirlo. Po ashtu, ai ka vuajtur shumë nga dëmtimet, që e kanë penguar mjaft këtë sezon, aq sa ka luajtur vetëm 11 ndeshje në Serinë A, duke shënuar 2 gola e duke dhënë 2 asistë. Klasi i tij është i pamohueshëm, dhe shpesh vlerësohet si ylli që i duhet kampionëve të Italisë pas largimit të Ronaldos që është 36-vjeçar. Gjithsesi, minuset për Dibalën sot për sot duken më të mëdha se pluset, të paktën ky është përfundimi i mediave në Apenine.
Sfidanti.al