Ku shkoi mbrojtja e pathyeshme e Çelsit? Shuplaka e Uest Bromit i rrezikon Championsin

Një ditë ekipi i tij do të humbiste, por as nuk mund të imagjinohej se humbja do të ishte e tillë. Çelsi i Tomas Tuhelit pati nevojë vetëm për një lojtar të përjashtuar me karton të kuq, për një dizavantazh numerik, që të përjetonte një dorëzim të madh si ky ndaj Uest Bromit. Përfundoi 5-2 për miqtë në “Stemford Brixh” dhe aureola e trajnerit gjerman nuk është më aq e shkëlqyer sa më parë.

Edhe pse Kristian Pulishiç shënoi golin për 1-0 për Blutë e Londrës, ata nuk patën asnjë shans sapo Tiago Silva doli me të kuqë në 29’. Mateus Pereira shënoi dy herë në 4 minutat shtesë të pjesës së parë, ndërsa pas pushimit shënuan Robinson dhe Dianje. Nuk bëri punë goli i Mejzën Mauntit ndërsa miqtë shtuan edhe një tjetër me anë të Robinsonit.

“Ne pësuam dy gola shumë të lehtë, – deklaroi Tuheli, – nuk është se rrezikuam ndonjë gjë deri te kartoni i kuq, por më pas nuk e përballuarm situatën. Nuk e di pse. Le ta pranojmë këtë humbje të madhe. Natyrisht, është edhe çështje fati sepse çdo gjuajtje e tyre përfundoi në rrjetë. Duhet ta kalojmë këtë moment dhe të reagojmë”. Çelsi ka 51 pikë, por rrezikon nga Uest Hemi, Totenhemi, Liverpuli dhe Evertoni, pra mund të mbetet jashtë zonës Champions.

Sfidanti.al