Nesër është festë në Itali, por më pak nëse je lojtar e tifoz kuqezi. Dhurata për Pashkët nuk duhej të ishte një barazim në shtëpi me Sampdorian, por ja që të besuarit e trajnerit Stefano Pioli e të udhëhequr nga Zllatan Ibrahimoviç, nuk bënë dot më shumë. Jo vetëm që ishte një hap fals në garën për titull (nëse ekziston ende diçka e tillë), por edhe një gabim që mund të kushtojë shumë në objektivin tjetër të madh të sezonit, kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm. Barazimi 1-1 bën që shumë rivalë të synojnë kalimin e kuqezinjve në renditje, si Atalanta, Napoli e Juventusi. Pioli u detyrua të pranonte se skuadra e tij nuk pati ritmin e duhur, por ashtu nuk shprehu dot cilësitë që zotëron, dhe kjo po ndodh në kohën më të papërshtatshme, kur përcaktohen fatet e sezonit. Nga 7 sfidat e fundit të Serisë A, lombardët kanë fituar vetëm 3.
Sampdoria e meritoi barazimin sepse luajti më mirë në pjesën e parë dhe vendasit duhet të falenderojnë portierin Donaruma që nuk pësuan gol më herët. Edhe pse rrjeta e Kualiarelës erdhi pas një dhurate të Teo Hernandezit, sërish ishte logjikë e lojës. Kapiteni dorian, në moshën 37-vjeçare, fitoi duelin me veteranin tjetër, 39-vjeçarin Zllatan Ibrahimoviç, që nuk mundi të ishte faktor këtë herë. Suedezi u duk i lodhur, edhe nga ngarkesa e ndeshjeve me kombëtaren, ndërsa i vetmi kontribut që veçohet nga ana e tij ishte pasimi për Frank Kesien që thuajse siguroi fitoren në fund. Milani ka 60 pikë pas 29 ndeshjeve, ende në vendin e dytë në Serinë A, por duke rrezikuar gjithçka.
Sfidanti.al