Emanuele Ndoj, mesatare golash mbi Levandovskin, Halandin e Mbapenë!

Fanelën që mban sot e kanë veshur emra të mëdhenj. Për Breshën ka luajtur legjenda Roberto Baxho, kanë drejtuar trajnerë si “dekani” Macone, si dhe ka shënuar ish-kapiteni i Shqipërisë dhe drejtori i sotëm i Lacios, Igli Tare. Këtë bluzë dëshiron ta nderojë një tjetër shqiptar, Emanuele Ndoj. Mesfushori me numrin 6 duket se e ka arritur sërish formën e tij maksimale ndërsa shënoi dy gola shumë të bukur në Serinë B italiane, në sfidën ndaj Pordenones.

Suksesi ishte 4-1 në stadiumin “Rigamonti” dhe shqiptari 24-vjeçar mund të cilësohet si lojtari më i mirë në fushë. Një revansh i vërtetë i tij ndaj fatit tepër të keq që e ka shoqëruar këtë sezon. Mesfushori ka humbur 21 ndeshje për shkak të dëmtimit në gju, ndërsa koha e riaftësimit ishte e gjatë. Ai është rikthyer prej 4 ndeshjesh, nga të cilat Bresha ka fituar 3 dhe ka humbur vetëm një, duke u ngjitur në mesin e tabelës e duke lënë pas rrezikun e rënies në kategorinë e tretë.

Ndoshta nuk ka kohë për të synuar plej ofin për Serinë A, por gjithsesi edhe me ndihmën e Ndojit, lombardët janë ekipi i tretë më mirë për golat e shënuar në kampionat, me 44 të tillë. Vetë shqiptari ka shifra të shkëlqyera, pasi ka shënuar 5 rrjeta në vetëm 7 ndeshje që ka qenë në fushë, mesatarisht një gol në çdo 65 minuta, një mesatare që do t’ia kishin zili edhe Levandovski, Mbape, Haland, Ronaldo apo Mesi. Kjo formë padyshim që do ta rikthejë në kombëtaren shqiptare, pasi ka qenë zgjedhje e trajneri Reja, ndërsa mesfusha kuqezi ka shumë nevojë për talent, fantazi dhe aftësi shënuese.

Sfidanti.al