Goditet edhe emri i të madhit “Panajot Pano” në një ndeshje të vogël futbolli ! Luanin Delvina dhe Albpetroli në fushën e Delvinës, ajo që mban emrin e legjëndës së futbollit, një emër që rrezaton dritën e futbollit tonë, por që s’e ndalon dot në “errësirrën “ sapo shfaqet fantazma e ..dhunës! Dhe sa herë ajo zapton tokën e futbollit, viktima e preferuar mbeten arbitrat! Dhe në një sistem ku dhuna ka bërë fole brënda topit, do të ishte naivitet të pretendonim asgjësimin e dhunës brënda natës, siç predikohet me deklarata të tipit “ Federata e Futbollit kërkon nga organet ligjzbatuese që të marrin masa të forta për të ndalur aktet e dhunshme , që prishin imazhin e futbollit”.
Është interesant fakti se dhuna në “kohën e demokracisë” më shumë është menazhuar sesa është luftuar. Rasti i fundit në Delvinë është një provë e frikshme e komodimit të saj për shtatë palë qejfe: tifozi agresor vjen me motorr, kapërcen fushën sikur të ishte duke u futur në bahçen e shtëpisë, godet anësorin Elis Pulaj në kokë, kthehet tek motorri dhe ikën ngeshëm ..punëmbaruar! Duket më shumë si film nga skenari, ku dhunuesi shfaqet në versionin jo pica-taxi..por dhunë-taxi!
Tani, edhe pse thërrasim me zë të lartë kundër dhunës, kemi dhënë prova ndër vite se s’kemi zemër për ta vrarë dhunën . Në fund të fundit, ajo më shumë shkarkon tek populli , në rastin e futbollit më shumë tek arbitrat. Edhe pse thonë se dhuna është si cikloni, nuk fal asnjërin, kjo nuk besohet shumë. Dhuna ‘alla shqiptare” është bujare me ata sipër, e pësojnë gjithnjë ata poshtë…
Sfidanti.al