Nuk ndodh çdo javë, por nuk i shmangemi dot. Dhuna vazhdon të shpërthejë në futbollin shqiptar, dhe sërish ndodhi në Kategorinë e Dytë. Në ndeshjen mes Butrintit të Sarandës dhe Elbasanit, acarimi ishte i madh në përfundim, ndërsa skuadra mike fitoi me rezultatin minimal 1-0. Fillimisht, vendasit protestuan për golin e shënuar nga elbasanasit, dhe kjo bëri që ndeshja të ndërpritej për 8 minuta. Në fund, Butrinti pretendoi se arbitri nuk akordoi shtesën e duhur, por vetëm 6 minuta, ndërsa tensioni kaloi në tribuna. U desh ndërhyrja e policisë e cila ndaloi që dhuna të arrinte përmasa më të mëdha, ndërsa u shoqëruan disa persona.
Tensioni vazhdoi për shumë minuta edhe jashtë stadiumit, ndërsa skuadra mike dhe arbitrat u shoqëruan nga forcat e rendit deri në dalje nga Saranda. Tension i madh edhe në Pukë, në ndeshjen që Tërbuni vendas e luajti ndaj Turbinës së Cërrikut. Kjo pas dëmtimit të rëndë të portierit vendas nga një lojtar mike, dhe pasi anësori anuloi një gol të Tërbunit. Sfida u ndërpre në minutat e fundit dhe arbitrat u goditën ndërsa dolën nga fusha. Ata u shoqëruan gjithashtu nga policia për t’i shpëtuar sulmeve të tifozëve.
Sfidanti.al