Dështim europian i Atletikos, por Simeone do të largohet kur të dojë vetë!

Nuk mund të jetë ndryshe për një trajner të tillë, që i ka sjellë klubit 8 trofe. Natyrisht, dështimi këtë sezon në Europë ishte i rëndë, pasi për herë të parë në “Epokën Simeone”, Atletiko eliminohet që në grupet e Championsit. Katastrofa erdhi pas humbjes 1-2 në Porto që e la ekipin jashtë kupave kontinentale. Në 6 ndeshje, Atleti pati 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje. Atletiko pati 10 pjesëmarrje radhazi në Champions, që nga 2013, gjë që tregon për ndikimin e jashtëzakonshëm të Simeones në ekipin spanjoll. Jo vetëm kaq, por “El Çolo” ndryshoi “kursin e anijes bardhekuqe” me t’u ulur në stol në 2011, duke fituar Ligën e Europës në 2012, e duke e përsëritur këtë triumf në 2018. Ai fitoi Superkupën Europiane po ashtu në 2012 dhe 2018, ndërsa në 2014 e 2016 arriti në finale të Championsit duke u mundur dy herë pa fat nga Reali. Për të gjitha këto, e përditshmja “Marka” shkruan se “Simeone do të largohet nga Atletiko, atëherë kur ta vendosë vetë”.

Sfidanti.al