De Bryjn flet pak : Me Murinjon kam biseduar gjithsej dy herë

Një nga futbollistët më të mirë të Mançester Sitit, Kevin de Bryjn, në një prononcim për median, në prag të derbit urban me Mançester Junajtidin, komentoi, midis të tjerash, edhe marrëdhëniet e tij me Zhoze Murinjo, të cilin ai e ka pasur trajner, kur luante me Çelsin. De Bryjn shkoi te Çelsi, më 2012, duke ardhur nga Genku, por nuk e gjeti veten dhe luajti me “blutë” e Londrës, gjithsej, tri ndeshje në Premier Ligë. Më pas, ky futbollist belg shkoi te Volfsburgu, ku i tregoi të gjithë cilësitë e tij që e çuan atë atje, ku ndodhet tani, te Mançester Siti, dhe ku ai është bërë i pazëvendësueshëm.

“Ne nuk kemi qenë të afërt. Unë, në fakt, nuk jam ndonjë njeri që bisedoj shumë me trajnerët. Unë kam mendimin se, nëse trajneri ka nevojë të flasë me ty, ai të vjen vetë. Ai është shefi. Ju edhe mund të keni marrëdhënie të mira, por, sidoqoftë, mes trajnerit dhe lojtarit duhet të ketë distancë. Me Murinjon unë kam folur gjithsej dy herë, njëherë, kur i thashë se dua të iki në Dortmund gjatë sezonit veror të transferimeve, dhe herën e dytë, kur ai më tha se unë duhet të largohem për diku gjetkë, nëse dua që të luaj. Kaq”, vuri në dukje mesfushori i shkëlqyer belg.

Sfidanti.al