Ashtu siç pritej, mbeti jashtë. Taulant Xhaka nuk është pjesë e kombëtares së Shqipërisë për dy ndeshjet e radhës. Xhani De Biazi nuk ia fali konfliktin e fundit, besohet në sy të gjithë skuadrës, në Itali në muajin mars. Mesfushori i Bazelit, pra, nuk do të jetë në miqësoren në Luksemburg në 4 qershor dhe sidomos në ndeshjen eleminatore të Botërorit në Izrael, në datë 11.
Nuk dihet sesa do të zgjasë inati i trajnerit, veçse me kontratën e italianit që përfundon në vjeshtë dhe me kushtin që Xhaka të kërkojë falje para skuadrës, përshtypja është se duhet pritur shumë për rikthimin e tij. Në listë mungon edhe Bekim Balaj, por kjo besohet për shkak të një dëmtimi që ka sulmuesi shkodran i Terekut të Groznit.
Spikat rikthimi i Ergys Kaçes. Mesfushori, një nga lojtarët më të talentuar kuqezinj, raportohet se pati konflikt me De Biazin para miqësores ndaj Maqedonisë në Shkodër dhe nuk u thirr më. Po ashtu, futbollisti pati probleme në Çeki me Viktorian e Plzenit dhe iu desh kohë që ta merrte veten. Të shikojmë nëse do ta shfrytëzojë këtë shans.
Pjesa tjetër e listës është ajo e zakonshmja, ndonëse mungon Etrit Berisha. Portieri i Atalantës mori karton të kuq pikërisht në ndeshjen eleminatore ndaj Izraelit në “Elbasan Arena”, dhe nuk e ka shlyer ende dënimin. Rikthehen në mbrojtje Berat Gjimshiti nga pezullimi dhe Mërgim Mavraj nga dëmtimi, dhe po ashtu Ermir Lenjani në krah, pasi u la jashtë për pak kohë. Në sulm, alternativat janë të shumta me Llullakun, Cikalleshin, Latifin, Grezdën, Hykën dhe sidomos Sadikun.
Shqipëria mban vendin e katërt në grupin eleminator G, dhe synon rezultat pozitiv në Izrael, për të qenë e treta. Ekipi grumbullohet në Luksemburg, dhe pas miqësores së të dielës, shkon në Turqi, ku do të përgatitet deri në ndeshjen ndaj izraelitëve.
Sfidanti.al