Për momentin, askush tjetër nuk krahasohet dot me të. As Kristiano Ronaldo apo Lionel Mesi, pasi Erling Braut Haland, po bën diçka që nuk është parë në histori. Në vetëm një orë lojë në Bundesligë, afërsisht 60 minuta, ai ka shënuar 5 gola, duke ndihmuar Dortmundin të ëndërrojë me sy hapur për të fituar titullin e parë që nga koha e Jurgen Klopit. Nëse sot nuk është më Robert Levandovski, është Halandi.
Sulmuesi 19-vjeçar norvegjez, shënoi dy herë në portën e Këlnit, në suksesin 5-1, ndonëse hyri në fushë vetëm në minutën e 65-të, duke zëvendësuar Torgan Hazarin. Suksesi kishte qenë thuajse i siguruar kur ai u aktivizua, pasi Borusia kryesonte 3-1, veçse dy golat e tij nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë. Gerrero, Rojs dhe Sanço ishin autorët e tjerë, dhe Dortmundi ka 36 pikë, po aq sa Bajerni dhe katër më pak se Lajpcigu, ndonëse verdhezinjtë kanë luajtur një ndeshje më shumë. Po ashtu, Borusia ka 51 gola të shënuar, po aq sa Lajpcigu dhe një më shumë se Bajerni, duke treguar se ka potencial shumë të madh.
“Jam i lumtur që debutova në shtëpi me dy gola, – u shpreh Halandi më pas, – nuk ishte e lehtë për mua, pasi nuk jam stërvitur në dhjetor, nuk kam pasur shumë seanca përgatitore, por jam përshtatur mirë me shokët”.
Sfidanti.al