Milani është i Ibrahimoviçit, por edhe i Ante Rebiçit!

Nuk kaloi nga shkollat më të njohura kroate të futbollit, Dinamo e Zagrebit apo Hajduk i Splitit. Ante Rebiç vërtet lindi në Split, në qytetin në breg të Adriatikut, me dialektin e veçantë kroat, por u bashkua me skuadrën e dytë të qytetit, RNK Splitin, prej nga kapërceu menjëherë tek Fiorentina në Serinë A. Pas huazimeve tek Lajpcigu, Verona dhe Frankfurti, kartoni i tij u mor përfundimisht nga ky klub gjerman, që tani e ka huazuar tek Milani.

Në moshën 26-vjeçare duket se ka gjetur ekuilibrin dhe suksesin në karrierë, siç e tregoi edhe në fitoren 1-0 të Milanit në fushën e Breshës. Pas dy golave pak ditë më parë, ai shtoi edhe të tretin, ndihmuar padyshim nga ndikimi vendimtar i një personaliteti kaq të madh sa Zlatan Ibrahimoviç. Nuk ka qenë e lehtë për djaloshin dalmat, kartoni i të cilit i kushtoi Frankfurtit vetëm 2 milionë euro në 2018 (edhe pse shënoi dy gola ndaj Bajernit në finalen e Kupës së Gjermanisë), ndërsa sot Milani ka të drejtë ta blejë për 25 milionë euro.

Falë golit të Rebiçit në 71’, Milani mori tri pikë në Breshë, dhe tani ka 31 në renditje, 4 pikë larg Atalantës dhe 7 pikë larg zonës Champions, ndonëse bergamaskët dhe Roma ende duhet ta luajnë ndeshjen e javës së 21-të të Serisë A.

Sfidanti.al