Ardon Jashari vazhdon të jetë shumë i përfolur në merkato. Mesfushori është një dëshirë e madhe e Milanit, të cilët po tentojnë ta blejnë me çdo kusht nga Club Brugge.
Pavarësisht përpjekjeve, marrëveshja nuk është mbyllur. Klubi belg ka refuzuar edhe ofertën më të fundit të paraqitur nga kuqezinjtë, që arrinte në 33.5 milionë euro, me bonuse të përfshira që mund ta çonin shumën në 38 milionë.
Brugge këmbëngul në një çmim prej 40 milionë eurosh dhe pret oferta nga Premier League që mund të përmbushin kërkesat e tyre financiare.
Milan dhe drejtori Igli Tare janë të ndërgjegjshëm se koha nuk është në anën e tyre. Për këtë arsye, po mbajnë të hapur edhe alternativa të tjera.
Një nga opsionet më të avancuara është Javi Guerra i Valencias, një tjetër mesfushor i talentuar, për të cilin Tare ka ruajtur kontaktet. Spanjolli është nën kontratë me klubin valencian deri në vitin 2027 dhe vlera e tij në merkato është rreth 25 milionë euro. Valencia nuk ka shprehur gatishmëri për ta lëshuar lehtësisht, çka tregon se edhe ky operacion nuk është i thjeshtë.
sfidanti.al