Përsa i përket garës për titull, kjo as nuk ndikon fare, sepse një garë e tillë nuk ekziston. Në Ligën e Parë të Francës këtë vit kampionia dihet, Paris SG, por gjithsesi pati një kontrast të fortë për Lionel Mesin kthimi nga ceremonia e shkëlqyer e Topit të Artë në “Parkun e Princave” për t’u ndeshur me Nisën. Superylli argjentinas nuk mund të ankohet as për ndonjë lodhje udhëtimi për paraqitjen për t’u harruar që pati, sepse ceremonia u zhvillua pikërisht në Paris, shumë pranë hotelit ku ai jeton. Padyshim që tifozët parizienë dhe ata që e ndoqën ndeshjen nga televizori pritën më shumë nga ish-kapiteni i Barcelonës. Barazim 0-0 pa shumë emocione, pavarësisht dominimit me top nga PSG, ndërsa Nisa pati një rast të madh në fund të pjesës së parë kur Dolberg goditi traun e portës së Donarumës. Dyshja e sulmit Mesi-Mbape nuk bëri shumë ndërsa Nejmar është i dëmtuar. Gjithsesi, PSG kryeson me 41 pikë, 12 më shumë sesa Marseja që ka edhe një ndeshje për të luajtur.
Sfidanti.al