Trajneri Shpëtim Duro nuk luan më në “mbrojtje” kur loja ndizet në studio dhe aq më shumë, kur flitet për trajnerët e huaj. Një frazë e tij, ditët e fundit, do t’i tërbonte trajnerët e huaj nëse do të kishin veshë për ta dëgjuar: “ Trajnerët e huaj janë shumë servilë me drejtuesit. Ka edhe nga ata seriozët, që ruajnë marrëdhënie profesionale, por ka edhe nga ata servilët…” Kjo frazë, edhe pse ka dalë nga goja e Duros, e kanë thënë me mend të gjithë trajnerët shqiptarë prej vitesh, pa arritur ta plasin këtë “bombë” e cila nuk është vetëm tymuese. Por, për hir të së vërtetës, cilët përkulen më shumë para “bustit” të presidentëve, trajnerët e huaj apo trajnerët tanë?
Trajnerët e huaj, të cilët zbarkojnë me petkun e shpëtimtarit apo të shoqeruar dhe me kambanën e revolucionit në vendin që nuk po e zbut dot topin, kanë një privilegj jetik në krahasim me tanët : atyre nuk u mbetesh dot para borxh, ngaqë të masakrojnë gjyqeve për shkak të kontratave. Ata nuk i bëjnë ato mbi “letra petullash” apo siç ndodh rëndom me mburrje midis tanëve… me marrëveshje xhentëlmenësh. Kështu, edhe në mos qofshim më të zotë se trajnerët tanë, paraja nuk i rrëzon aq shumë para “ bosave” me xhepa të lodhur, te cilët, nga ana e tyre ,kanë treguar një zell patologjik që njeriu i stolit të marrë formën e plastelinës, pra… të jetë një kampion i nënshtrimit. Shpëtim Duro, ndofta e ka harruar, ngaqë ka ndodhur shumë vite më parë, tamam kur e larguan nga stoli i përfaqësueses së moshave, gjoja me një arsye “madhore nga etika”, dhe ai formuloi frazën, e cila dashtë zoti mbetet midis nesh dhe nuk e mësojnë dot trajneret e huaj : “ Pse më larguan nga ekipi përfaqesues? Mos i vini faj shefave, sepse gabimi ishte ..imi”
Sfidanti.al