Cila është ajo arsye e fortë që Nejmar të kthehet tek Barça?!

Cila ishte arsyeja kryesore që Nejmar vendosi të largohej nga Barcelona? E di i madh e i vogël, që ai iku nga “Kamp Nou” për të shpëtuar nga “hija gjigande” e Lionel Mesit, lojtarit më të mirë të katalanasve dhe më të mirit në botë. Nejmar donte të ishte në një skuadër, ku të quhej ai “violinë e parë”, si dhe të fitonte Topin e Artë. Dëmtimi në shkurt dhe pastaj dështimi në Botëror e bënë të kuptonte se do të ishte e vështirë që kjo të ndodhte tek Paris SG, një klub që nuk jepte garanci për të fituar Championsin, dhe për ta rritur personalitetin e tij, që të mund të udhëhiqte Brazilin drejt titullit botëror.

Mediat lajmërojnë se babai i Nejmarit është takuar me Andre Kurin, një njeri të Barcelonës, me të cilin padyshim që kanë biseduar për një rikthim. Në takim, sipas “Radio Katalunjës” ishte edhe agjenti izraelit Pini Zahavi, ndërsa Kuri ishte vendimtar bnë kalimin e Nejmarit nga Santosi tek Barcelona. Arsyeja kryesore që braziliani po mendon rikthimin në “Kamp Nou” është fakti se Mesi tashmë është në etapën e fundit të karrierës. Edhe pse sërish më i miri, argjentinasi nuk mund të quhet në kulmin e tij, dhe Nejmar do të ketë mundësi të kthehet dalë nga dalë, në yllin e skuadrës dhe në pasardhës të kapitenit të sotëm.

Në Barcelonë, ende kanë kujtime të mira nga sulmuesi brazilian, dhe me kalimin e kohës, është larguar antipatia për mënyrën sesi u largua. Vetë futbollistët kanë mbajtur raporte miqësore me të. Një arsye më shumë që mund ta ndihmojë të largohet është se Paris SG ka probleme me UEFA-n për shkak të Lojës së Ndershme Financiare, dhe flitet shumë se do të jetë i detyruar të transferojë Nejmarin ose Mbapenë për ta pasur bilancin financiar në rregull.

Sfidanti.al