Ç’i duhet finalja europiane Tiranës që nuk ka fusha futbolli për fëmijët e saj?!

Jehona është e madhe, dhe duket sikur po e fsheh realitetin. Një ngjarje e madhe si finalja e Ligës së Konferencës që mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, nuk mundet të errësojë problemet e mëdha të futbollit dhe sportit tonë në përgjithësi. Profesor Doktor Albert Karriqi, ish-atlet i shquar dhe njëri nga personalitete më të rëndësishme të sportit shqiptar, sheh anën tjetër të medaljes. “Kjo finale është diçka e rëndësishme, por është fitore politike, jo fitore sportive, – thotë Karriqi, – Sporti shqiptar nuk fiton asgjë nga finalja, ne nuk e meritojmë këtë finale. Plot 99 për qind e futbollit në Europë është amator, bëhet për fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa në Shqipëri kjo gjë nuk ekziston. Tirana ka vetëm 0.17 metra katror fusha futbolli për banor, ndërsa në Ballkan mesatarja është 8 metra”. Kjo do të thotë se kemi mesatare 50 herë më të vogël se Ballkani!!! Profesor Karriqi kujton edhe se Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë pa Qendër Olimpike, por po ashtu është i vetmi kryeqytet që nuk ka pistë atletike.

Sfidanti.al