Championsi, kualifikohen Liverpuli dhe Ajaksi

Në “Anfild” dhe në “Signal Iduna Park” pati festë, por ishin në kahe të kundërta. Ndërsa në Angli u gëzuan vendasit e Liverpulit për kualifikimin në raundin e dytë të Championsit dy ndeshje para përfundimit të ndeshjeve në grup, në Dortmund këtë e bënë holandezët e Ajaksit. Të besuarit e trajnerit Jurgen Klop shkëlqyen dhe arritën fitoren e katërt radhazi, këtë herë me shifrat 2-0 pas golave të shënuar nga Diogo Zhota në 13’ dhe Sadio Mane në 21’. Kartoni i kuq i Felipes për spanjollët në 36’ (që u duk tepër i ekzagjeruar) i dha fund çdo diskutimi dhe anglezët patën epërsi dërrmuese. Ata kishin 68 për qind zotërim topi, 17 gjuajtje drejt portës (7 të spanjollëve) dhe 6 në kuadrat (0). Liverpuli bëri 707 pasime, kundrejt vetëm 276 të miqve. Në një grup të vështirë, me Porton e Milanin, Liverpuli ka 12 pikë të plota dhe golaverazhin 13-5.

Ajaksi nuk mbeti prapa me fitoren 3-1 në Gjermani ndaj Dortmundit dhe me 12 pikë në plota gjithashtu. Holandezët kanë golaverazhin 14-2 duke dhënë provat për një mbrojtje të fortë në grupin ku janë edhe Sportingu i Lisbonës e Beshiktashi. Gjermanët kaluan në epërsi me penalltinë e Marko Rojsit, por ishin pa Erling Halandin të cilin e kishin në Holandë kur u mundën 0-4 ndeshjen e kaluar. Atyre u prishi punë kartoni i kuq i kapitenit Mats Humels në 29’, dhe Ajaksi përmbysi shifrat vonë. Tadiç në 72’, Haler në 83’ dhe Klasen në 90’+3 vulosën rezultatin 3-1.

Në ndeshjet e tjera, Paris SG nuk fitoi dot në Gjermani ndaj Lajpcigut edhe pse pati në fushë Nejmarin e Mbapenë (por jo Mesin). Ndeshja doli 2-2 me gola të Vajnaldumit për francezët, ndërsa Mançester Siti doli në krye të grupit me 9 pikë pas fitores 4-1 kundër Bryzhit. Foden, Mahrez, Stërling dhe Gabriel Zhezuz shënuan golat për anglezët. Në grupin D, pasi Reali fitoi 2-1 në “Bernabeu” ndaj Shahtarit të Donjeckut, Interi bëri detyrën në Moldavi ndaj Sherifit të Tiraspolit me fitoren 3-1. Brozoviç, Shkriniar dhe Sançez shënuan dhe zikaltërit kanë tani 7 pikë në vend të dytë ndaj 6 të Sherifit, kurse Reali kryeson me 9.

Grupi A: Man. Siti-Bryzh 4-1, Lajpcig-Paris SG 2-2. Man. Siti 9 pikë, PSG 8, Bryzhi 4, Lajpcigu 1.

Grupi B: Milan-Porto 1-1, Liverpul-Atletiko 2-0. Liverpuli 12 pikë, Porto 5, Atletiko 4, Milan 1.

Grupi C: Dortmund-Ajaks 1-3, Sporting-Beshiktash 4-0. Ajaksi 12 pikë, Sportingu 6, Dortmundi 6, Beshiktashi 0.

Grupi D: Real-Shahtar 2-1, Sherif-Inter 1-3. Reali 9 pikë, Interi 7, Sherifit 6, Shahtari 1.

Sfidanti.al