Championsi hedh Milanin në “greminë”, dorëzim pa kushte ndaj Sasuolos!

Emrat ishin pak a shumë po ata, me përjashtim të ndonjë Tonali që hyri në pjesën e dytë. Ibrahimoviç, Kesie, Menja, Kjer, Leao, Benaser, Teo Hernandez, por Milani nuk ishte ai i zakonshmi. Mjaftoi një ngarkesë tepër e madhe në Champions, sfidë që u përballua me sukses në mesjavë, për të sjellë një rraskapitje fizike dhe sidomos mendore për kuqezinjtë. Qëlloi pikërisht në ndeshjen e parë pas rinovimit të trajnerit Stefano Pioli, që Milani u dorëzua pa kushte ndaj Sasuolos, duke bërë që mediat italian të ngrinin pyetjen: Ç’po ndodh?

Disfata 1-3 në “San Siro” ishte e dyta radhazi në Serinë A pas asaj 3-4 në fushën e Fiorentinës, por paraqitja ishte shumë më e keqe sesa në Firence, ku Ibrahimoviç me shokë dhanë betejë deri në fund ndaj një ekipi edhe më superior sesa Sasuolo. Edhe pse Alesio Romanjoli e kaloi Milanin në epërsi, katastrofa filloi menjëherë më pas. Skamaka barazoi në 24’, Kjer shkaktoi autogol në 33’, ndërsa në pjesën e dytë shënoi Domeniko Berardi (66’). E keqja u bë e plotë kur Romanjoli doli me të kuqe në 77’ dhe ekipi i Piolit nuk pati forcë për të reaguar. Tashmë, Interi është vetëm 1 pikë larg dhe është në ngjitje ndërsa Milani duket në “rënie të lirë”.

Sfidanti.al