Champions: Luksemburgu s’është më Luksemburg, Tirana duhet të djersijë që të kualifikohet!

Humbja ishte e vogël, vetëm 0-1, dhe duke mos pasur më rregullin e golit në fushë kundërshtare, nuk është aq e frikshme sa më parë. Gjithsesi, kampionia e Shqipërisë, Tirana, dhe tifozët e saj e kuptuan se gjithçka që thuhej nga specialistët për kundërshtarin nga Luksemburgu ishte e vërtetë. Dudelanzhi, një ekip që ka qenë në fazën e grupeve në Ligën e Europës në 2018 e 2019, që ka barazuar me Betisin, fituar me APOEL-in e Limasolit, që ka eliminuar Shkëndinë e Tetovës, Legian e Varshavës dhe Kluzhin e Rumanisë, e tregoi veten “Zot shtëpie” në përballjen e parë të raundit të parë eliminator në Champions.

Fitoi 1-0 me golin e shënuar nga Hasan Nader në pjesën e dytë (71’), ndërsa të dyja ekipet e mbyllën ndeshjen me nga 10 vetë. Limaj doli me të kuq nga bardheblutë tanë në 68’, që do të duhet të realizojnë përmbysjen mesjavën e ardhshme në “Arenën Air Albania”. Dudelanzhi pati 8 gjuajtje në portë ndaj 3 të Tiranës dhe 4 në kuadrat ndaj vetëm 1 të kryeqytetasve. Ekipi ynë e mbajti më shumë topin, por pa mundur të konkretizonte epërsinë territoriale në raste, madje edhe pse Dudelanzhi e mori të kuqin më herët në 54’ me anë të Kirhut.

Tirana: Bekaj, Behiraçe, Aleksi, Najdovski, Toshevski, Totre (Qefalia 85’), Xhixha, Ismajlgeci, Limaj, Seferi, Devid De Santana (Hasani 78’).

Sfidanti.al