I vetmi që nuk mori asnjë kritikë pas Bohumit, madje që mund të shpallej padyshim si lojtari më i mirë në fushë (e jo vetëm për Bajernin) ishte ylli nga Polonia. Robert Levandovski nuk e uli standardin e tij duke shënuar dy gola, duke goditur traun e portës, e duke luftuar për çdo top, a thua se nuk është 33 vjeç. “Levandovski ishte “shfaqja me një njeri të vetëm këtë herë”, – shkruajtën mediat bavareze, – ai bëri gjithçka dhe ishte i vetmi që luftoi fort deri në fund. Të tjerët ishin ose mediokër, ose tmerrësisht të dobët”.
Gjithsesi, pyetja që bëhet në Gjermani është se çfarë po pret Bajerni për t’i dhënë rinovimin e kontratës Levandovskit, që ka 26 gola këtë sezon të Bundesligës në 22 ndeshje, dhe që mund të thyejë rekordin e tij të një edicioni me 41 ndaj 40 që ishte rekordi i vjetër i Gerd Mylerit. Polaku ka 37 gola këtë vit sportiv (2021-2022) në 30 ndeshje, ka 303 gola në Bundesligë në karrierë (365 është rekordi i Mylerit), ndërsa ka kaluar 600 golat në total në karrierë (601), duke pasur shpresë për të ndjekur Ronaldon e Mesin.
Sfidanti.al