Fitorja me përmbysje rezultati e djemve të kombëtares të premten mbrëma ndaj Suedisë, nga 0-2 në 3-2, më ktheu pas në kohë, në një ndeshje të munguar ndaj suedezëve.
Katër vite pas daljes së Dinamos në katërshen e Europës, në vitin 1978 vetëm procedurat dhe padija e drejtuesve të Federatës të izoluar të volejbollit na privoi nga një tjetër sukses në Europë. Pas fitores së kampionatit në Shqipëri, Dinamos tonë i bie shorti kundër Ekzeçibashit të Stambollit. Ishim një ekip i mirë, me eksperiencën e Kiço Lenës, Enis Terihatit dhe Shkëlzën Hoxhës, së bashku me Leonard Tasen, vëllezërit Tirana dhe unë që isha vetëm 22 vjeç, por që prej një viti më parë isha shuter kryesor së bashku me Shkëlzen Hoxhën.
Ndeshjen e parë në Tiranë e fituam 3-0, pa shumë histori. 15-2, 15-10, 15-6 ishin rezultatet e seteve, në pallatin e sportit “Partizani” të mbushur plot. Një javë më vonë, në Stamboll u bë ndeshja e kthimit. Në pallatin e sportit kishin ardhur shumë prej shqiptarëve të shpërngulur herët nëTurqi. Na bëri çudi që me fillimin e ndeshjes, shpalosën një banderolë të madhe me foto të Enver Hoxhës, por shumë shpejt policët ndërhynë duke rrethuar grupin e tifozëve. Megjithë hilet e arbitrave, fituam setin e tretë 15-10, por aq na mjaftonte për t’u kualifikuar, ndërsa ndeshjen e humbëm 3-1 me pikavarazh 55-27.
Shorti na favorizonte, pasi na binte me një ekip suedez. Për Dinamon e atyre viteve, që përballej e barabartë me ekipet e forta të Lindjes si CSKA e Sofies, Partizanin e Beogradit apo Mlladostin e Zagrebit, ekipin suedez as që e diskutonim, por mendonim për fazën tjetër që mund të na dërgonte nëraundin final të Ligës së Kampionëve. Ndërsa ishim duke përgatitur ndeshjen me stërvitje intensive në Tiranë, vjen lajmi se për shkak të mungesës së licensave në Stamboll që duhet të ishin bërë nga Federata jonë e volejbollit, ishim skualifikuar. Për të gjithë ishte zhgënjim shumë i madh që për faj të disa procedurave burokratike duhet të hiqnim dorë nga ai kompeticion.
Kjo më erdhi në mendje ndërsa po shikoja ndeshjen e kombëtares ndaj Suedisë të premten mbrëma. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe problemet politike dhe izolimi i federatës si atëherë, nuk mund të bëhen më shkak për të bllokuar suksesin e ekipeve shqiptare në arenën ndërkombëtare. Sot problemet janë të tjera, si cilësia, përkushtimi, masivizimi dhe investimet. Gjithsesi, në ndeshjen ndaj Suedinë kjo kombëtare me shumë lojtarë shqiptarë që janë përgatitur në Europë e kthehen për të dhënë kontributin për ekipin tonë, më pëlqeu. Por nuk duhet të na gënjejë, pasi gjendja e volejbollit në Shqipëri mbetete dobët.
Shaban Uka
Mjeshter i Madh i Sportit