Çfarë lumturie për Juven pas Lacios, nuk varet nga Ronaldo!

Kjo, të paktën për një ndeshje të vetme, por çfarë sfide e vështirë. Nuk është e lehtë të luash ndaj Lacios së Simone Inzagit, qoftë edhe në Torino e për më tepër me Kristiano Ronaldon në stol. Përfundoi 3-1, dhe ku CR7 nuk shënoi asnjë gol, edhe pse hyri në fushë në 21 minutat e fundit (plus shtesat). Bëri gjithçka Alvaro Morata i cili vërtet është “bir i Madridit”, por si shtëpi të vërtetë ka pikërisht Juventusin.

Sulmuesi spanjoll shënoi dy golat në pjesën e dytë që gargantuan fitoren, dhe ishte shumë i rëndësishëm në kthimin e tij nga dëmtimi. Andrea Pirlo mund të jetë disi më i qetë, dhe t’u thotë punëdhënësve të tij që “ja se çfarë mund të bëj nëse nuk i kam lojtarët kryesorë të dëmtuar”. Pritet edhe kthimi i Dibalës në sulm, Betankurit në mesfushë, si edhe i Bonuçit, De Ligtit e Kielinit në mbrojtje për të pasur një Juve të vërtetë.

Lacio kaloi e para në epërsi me Korrean në 14’, ndërsa Adrien Rabio barazoi në 39’. Me këtë sukses, Juventusi arriti në 52 pikë në 25 ndeshje të luajtura, vetëm 1 pikë prapa Milanit, e 7 pikë më poshtë sesa Interi që kryeson Serinë A. Tashmë, misioni i Serisë A ka përfunduar për këtë javë, dhe duhet të luhet për gjithçka ndaj Portos në Champions për kualifikim në çerekfinale pas humbjes 1-2 në Portugali.

Sfidanti.al