Me një Mesi si regjisor, Barcelona e sheh shumë pranë titullin!

Atletiko është vetëm 2 pikë larg, vërtet ka edhe 2 ndeshje për të luajtur, por njërën prej tyre e ka në “Uanda Metropolitano” pikërisht ndaj Realit. Nëse humbet derbin, Atletiko mbetet 2 pikë mbi Barcelonën me vetëm një ndeshje “në dorë”, ndërsa dueli direkt me katalanasit luhet në “Kamp Nou”. Ky është një kombinim që meditohet nga Mesi me shokë pasi ata fituan 2-0 në fushën e Osasunës në La Liga. Pas një pjese të parë të vështirë, ku u doli për zot portieri Ter Shtegen, “blaugranët” dolën në lojën e tyre pas pushimit. Golat u shënuan nga Zhordi Alba (në foto) në 30’ dhe lojtari i Akademisë “Masia”, “kanterani” Moriba Ijaiç në 83’. Në të dy rastet ishin asistet e Lionel Mesit, i cili vërtet nuk shënoi gol, por u tregua vendimtar dhe një kapiten i vërtetë.

Një ndryshim i jashtëzakonshëm për argjentinasin, por edhe për skuadrën e trajnerit Ronald Kuman që pavarësisht dështimeve të mëdha të këtij sezoni është pranë dy trofeve, titullit kampion dhe Kupës së Mbretit. Katalanasit janë po ata që pësuan humbje 1-3 në “Kamp Nou” me Realin në ligë dhe 1-4 me PSG-në në Champions po në “Kamp Nou”, por janë edhe këta që po i afrohen Atletikos në renditje, pasi skuadra e Simeones ka 58 pikë dhe ajo e Kumanit 56. Pavarësisht krizës, Barça mbetet skuadra që shënon më shumë në Spanjë, me 57 gola ndaj 47 të Atletikos e 43 të Realit.

Sfidanti.al