Ishte ndoshta një koincidencë, por gjithashtu mund të quhet edhe fytyra e re e kësaj skuadre. Skuadra e Juventusit duhet t’i jetë falenderues drejtuesve që morën dy lojtarë si Dushan Vlahoviç dhe Zakaria, që e treguan menjëherë veten. Trajneri Alegri nuk ngurroi dhe i hodhi si titullarë në sfidën e Serisë A kundër Veronës në stadiumin “Alianc” të Torinos, dhe gjithçka shkoi sikur të ishte vendosur me dorë. Vlahoviç shënoi golin e parë, në një debutim të shkëlqyer ku imitoi edhe maskën e Paulo Dibalës. Ai ka marrë fanelën me numrin e rëndë 7, që e kishte Ronaldo, ndërsa luftoi shumë, pretendoi edhe penallti, dhe tifozëet kanë blerë një numër shumë të madh të bluzave të tij.
Pas pushimit, goli i dytë u shënua pikërisht nga Zakaria që përshëndeti kështu tifozët e tij të rinj. Juventusi pati në fushë edhe kapitenin Dibala, po ashtu edhe Moratën duke luajtur me 3 lojtarët ofensivë siç parashikuan mediat. Ky sukses bëri që “Zonja” të ketë 45 pikë, dy më shumë se Atalanta që pësoi humbje të papritur në shtëpi ndaj Kaljarit, por që sidoqoftë ka një ndeshje më shumë për të luajtur. “Jam i lumtur me lojën e skuadrës, – tha Alegri, – jo vetëm për ata që shënuan, por për të gjithë. Jemi duke e marrë veten, dhe jo vetëm që po luajmë më mirë, por edhe po shënojmë. Nëse vazhdojmë kështu jemi në rrugë të mbarë”.
Sfidanti.al