Çfarë “droge” kishte pirë Florentino Perez kur tentoi Mesin?

Ka disa ëndrra në jetë që quhen të pamundura, pra dëshira të parealizueshme. Një prej tyre mund të ishte ajo e transferimit të Françesko Totit, një tjetër ajo e Rajan Gigsit apo e Paolo Maldinit, ndërsa fjala “e pamundur” ekziston për të gjithë (madje edhe për Napoleon Bonapartin që thoshte të kundërtën). Për një moment, Florentino Perezit të Realit iu duk vetja si Napoleoni kur mendoi se mund ta tundonte Lionel Mesin që të linte Barcelonën për “Santiago Bernabeun”. Të paktën, kështu raportojnë “Der Shpigel” në Gjermani dhe “El Mundo” në Spanjë.

Ngjarja duhet të ketë ndodhur në 2013, kur presidenti madrilen i ofroi 23 milionë euro të thata në dorë Leos dhe 1 milionë euro babait të tij vetëm e vetëm që të bënin atë që bëri Luis Figo (dhe ndoshta edhe Nejmar, por me “tabelë”, që nga Paris SG). Asgjë nuk ndezi dhe argjentinasi i mbeti besnik klubit të tij që e rriti që në moshën 11 vjeç, ndërsa vetë përfaqësuesit e numrit 10 katalanas e kanë hedhur poshtë këtë histori, si pa bazë.

Në një klimë mediatike ku është e justifikuar edhe të shpiket, mjaft që të jesh i lexueshëm dhe i klikueshëm, padyshim që mund të jetë edhe sajesë, aq më tepër që për Mesin nuk do të kishte asnjë problem të thoshte “po, më kërkoi Reali, por unë e refuzova”. Madje, kjo gjë do ta bënte edhe më të lavdishëm në sytë e tifozëve të Barcelonës.

Sfidanti.al