Kartat tani janë të hapura. Çelsi do ta mbajë Armando Brojën për sezonin e ardhshëm, dhe diçka e tillë konfirmohet nga mediat angleze, që i referohen burimeve tepër të informuara. Gazetari Xhejzën Bart shkruan në mediat sociale se trajneri i bluve të Londrës, Tomas Tuhel, i ka hedhur poshtë të gjitha ofertat për sulmuesin e kombëtares shqiptare, duke qenë i vendosur për ta pasur në ekip në 2022-2023. Tuheli, pasi ka biseduar me pronarin e ri të klubit, amerikanin Tod Boehli, i ka sqaruar se Broja është një prodhim i Çelsit, që ka bindur dy sezonet e fundit, i huazuar tek Viteshe në Holandë dhe tek Sauthemptoni në Premier Ligë.
Uest Hemi, gjithashtu i Premier Ligës angleze, ishte klubi më i interesuar për shërbimet e 20-vjeçarit, e thuhet se ka ofruar nga 25 deri në 30 milionë paundë stërlina. Njukasëlli gjithashtu në Angli ishte i interesuar për të, ashtu si Evertoni apo më parë edhe Arsenali. Broja shënoi 9 gola për Sauthemptonin sezonin e kaluar, prej të cilëve 6 në kampionatin anglez, duke qenë një nga më të mirët për moshën e tij. Kartonin e tij e ka Çelsi, për të cilin kaloi nga Akademia në skuadrën e parë me trajnerin Frenk Lampard, ndërsa dy sezonet e fundit e ka zhvilluar fazën përgatitore gjithashtu me ekipin e “Stemford Brixhit”.
Sfidanti.al