Besimi dihej që nuk ishte shumë i madh. Një skuadër e mbushur me talent si Çelsi, por e rrëmujshme pas blerjeve të shumta, do të duhej të kalonte humbjen e parë ndaj ekipit që kishte fituar të gjitha ndeshjet e vitit 2023, diçka që nuk jepej si e arritshme, por që në fund ndodhi. Blutë e Londrës kaluan në çerekfinale të Championsit falë suksesit 2-0 në stadiumin e tyre “Stemford Brixh” ndaj Dortmundit, duke hequr nga vetja presionin e madh të këtyre kohëve. Rahim Stërling dhe Kai Haverc me penallti ishin autorët e golave, që zhbënë disfatën 0-1 pësuar në Gjermani.
Anglezët kishin njohur vetëm dështime pavarësisht shpenzimeve prej qindra milionë eurosh, por tashmë janë aty ku gjithkush dëshiron të jetë, mes 8 më të mirëve të Ligës së Kampionëve. Si për ironi të fatit, Çelsi ia doli aty ku pritet të dështojë nënkampionia e Europës, Liverpuli, dhe ku anglezët mund të mbeten me shumë pak ekipe. Trajneri Poter është më i lehtësuar pas dy fitoreve radhazi. E vërteta është që Dortmundi dominoi me zotërimin e topit, dhe ishte krejtësisht i barabartë me Çelsin në gjuajtjet drejt portës, dhe në ato në kuadrat. Tashmë, kampionët e Europës të viteve 2012 e 2021 mund të shpresojnë për një tjetër sukses të madh në Champions.
Sfidanti.al