Ceferini e paska shitur presidentin Duka! Sikur të kishte gojë futbolli…

Duket sikur është zëri i shefit të madh të vendit, por në fakt kërcënimi i “ëmbël” vjen nga zoti Veliaj. “S’do ketë zgjedhje në mars!.Nëse ka burrëri Armando Duka, do të ikë vetë!” A mund të guxojmë të flasim për burrëri, sidomos këtej në anët tona, kur “burrat e politikës” dhe “burri i futbollit” janë puthur “alla franceze” në ditët më romantike..

Pse zoti Veliaj startoi me deklarata kaq të forta në adresë të presidentit, si ajo “ largimi i Dukës është basti i jetës time”, dhe pas takimit me kapon e UEFA-s, Ceferinin, flitet për një largim burrëror? Apo tjetra, e cila lë shteg për nënkuptime : të ikë vetë! Se po nuk pati këllqe të ikë vetë, këtë herë do ta “ndihmojë” Shteti, me të cilin ka bërë shumë asiste ! Po, po ai shtet që e ndihmoi “Suden e topit” , që futbollin të shndërrohej në një Piramidë të fundit, ku populli depozitonte pa kursim ndjenjat dhe luante me top lecke, ndërsa shefat lodronin me ndjenjat dhe me.. topin e milionave..

Nuk dihet me siguri se çfarë kanë biseduar me dyer të mbyllura zoti Rama dhe Ceferini, por një gjë dihet me siguri: presidenti Duka po bën gati valixhet! Urimi më i sinqertë është se ishalla nuk i ka shumë të mëdha baulet,..sa të marrë me vete gjithë futbollin. Nëse do të ikte vetë, siç kanë kombinuar edhe poli-shefat në takimin top-sekret, kjo do të ishte dhurata e fundit që po i bën politika..desportit më të përkëdhelur të sportit në demokraci. Një presidenti që e përdrodhi dhe e nënshtroi kaq shumë komunitetin e futbollit, sa fukarenjtë e shkretë nuk lanë emër pa e lajkatuar “ mbret”, “shtet”, “gjeneral” e “komandant” dhe tani që po ikën, ti kujtojmë që të marrë me vete në valixhe edhe urimin kampion për nga doza e servilizmit ,që i dhuruan vartësit për ditëlindje : “ Të na rroni sa futbolli…”

Sfidanti.al