Nuk do të jetë aspak e lehtë sepse po flasim për duelin ndaj kampiones në fuqi dhe skuadrës që kryeson kampionatin. Dortmundi mund të ketë shumë dëshira dhe ëndrra, veçse nuk është aspak favorite përballë Bajernit edhe pse do të luajë në “Signal Iduna Park”. Në 9 ndeshjet e fundit, bavarezët kanë fituar 8 herë, përfshi edhe triumfe si 4-0, 5-0 apo 6-0, por që janë arritur në Mynih. Dy rivalët e kanë harruar barazimin, pasi nuk ka ndodhur kurrë në 10 të fundit në Bundesligë dhe në 10 të fundit në Kupën e Gjermanisë. Gjithsesi, këtë sezon Borusia ka qenë e fortë në shtëpi duke i fituar të 7 ndeshjet në “Signal Iduna Park”. Me kthimin në formacion të Halandit, a mundet që ekipi i trajnerit Marko Roze t’ia dalë? Nëse po, atëherë Bajerni e humb vendin e parë në favor të Dortmundit. Ndeshja luhet sot në 18:30, ndërsa mungesat për vendasit janë të shumta si Belingham, Byrki, Hazar, Mukoko, Rejna apo Shmelcer. Edhe kampionët kanë mungesa si Kimihun, Zabicerin, Çupo-Motingun, Sarrin dhe Stanishiçin.
Sfidanti.al