Broja si asnjë shqiptar para tij, numri 9 i së ardhmes për Çelsin

Në kombëtaren e Shqipërisë kanë luajtur disa sulmues të shquar si Refik Resmja, Panajot Pano, Ilir Përnaska, Agustin Kola, Sokol Kushta apo Erion Bogdani, ndërsa një shqiptar i shkëlqyer ofensiv ka qenë Riza Lushta, por me përjashtim të këtij të fundit, asnjë yll nga trojet tona nuk ka arritur këtë që mund të arrijë Armando Broja. Natyrisht është tepër herët për të folur, por superlativat nga mediat britanike nuk mungojnë, përkundrazi.

Pasi Broja shënoi për Çelsin e Londrës, tabloidi “Deili Meil” theksoi se “Broja mund të jetë një numër 9 i së ardhmës”. Ai luajti në pjesën e dytë në ndeshjen miqësore ndaj Bornmuthit dhe menjëherë u duk më i rrezikshëm sesa Tami Abraham që shpërdoroi mundësi të mirë. “Broja tregoi instinkt të madh për golin, – shkruan e përditshmja londineze, – duke kontrolluar bukur topin në zonë dhe duke realizuar me zgjuarsi e talent. Ai u duk i shpejtë, i fortë, i mirë me topin në këmbë dhe me vullnet të madh”. Edhe pse Çelsi mund të shpenzojë shumë këtë verë për një qendërsulmues, do të ketë Brojën për shumë vite në të ardhmen. Jo keq për një skuadër ku ka luajtur Xhanluka Viali, Didie Drogba, Nikolas Anelka, Fernando Torres, Andrij Shevçenko, Diego Kosta apo Olivie Zhiru.

Sfidanti.al