“Djalin e shtëpisë” nuk e kishin harruar. Një duartrokitje e ngrohtë dhe e fortë u dëgjua në tribunat e stadiumit “Sent Meri” të Sauthemptonit në minutën e 67-të të ndeshjes me Çelsin, kur në fushë hyri Armando Broja. Sulmuesi 20-vjeçar shqiptar zëvendësoi kapitenin e bluve, Sezar Azpilikueta, pra ishte kundërshtar, por tifozët tipikë anglezë nuk e harruan sezonin e shkëlqyer që ai u dhuroi në 2021-2022. Gjithsesi, futbollisti kuqezi nuk mori vetëm mirënjohjen e “Shenjtorëve”. Mjaftuan rreth 25 minuta që ai të fitonte duartrokitjen e trajnerit të tij, Tomas Tuhel, vlerësimin e shokëve të skuadrës dhe sidomos të tifozëve. “Broja me siguri do të jetë titullar në ndeshjen e ardhshme”, shkruante njëri prej tyre. “Tuheli duhet të aktivizojë Brojën, ai ka një “bishë” të vërtetë në ekip”, është mendimi i një tjetri. “Broja në pak minuta që hyri në fushë bëri që sulmuesit tanë të tjerë të duken të rëndomtë”, – vazhdonte një i tretë. “Në vetëm 10 sekonda ai dribloi më shumë mbrojtës sesa ka bërë Haverci në një sezon të tërë”, – nxorri konkluzion një tjetër tifoz i bluve të Londrës.
Sfidanti.al