Broja e Çepele janë surprizat e Rejës në kombëtare për Bjellorusinë e Lituaninë!

Ndryshimi është pjesë e jetës, dhe emra të rinj i bashkohen listës. Kombëtarja shqiptare do të ketë dy debutues për ndeshjet ndaj Bjellorusisë e Lituanisë në Ligën e Kombeve, dhe bëhet fjalë për sulmuesin Armando Broja, dhe për mbrojtësin Ramen Çepele. I pari është lojtar i Çelsit të Londrës, me të cilin ka nënshkruar një kontratë profesioniste.

Në moshën 18-vjeçare ai kaloi me sukses provën në ekipet e akademisë së klubit anglez, duke fituar besimin e trajnerit Lampard, madje bëri edhe debutimin në Premier Ligë, në ndeshjen e sezonit të kaluar ndaj Evertonit në “Stemford Brixh”. Gjithsesi, për shkak të konkurrencës së ashpër tek Blutë e Londrës, dhe moshës së tij të re, Broja u huazua tek Viteshe e Arnhemit në elitën e futbollit të Holandës. Sulmuesi shqiptar po e tregon veten edhe me klubin e ri, duke arritur të shënojë edhe gola.

Ramen Çepele, ndërkaq, është 17 vjeç dhe prej shumë vitesh vesh fanelën e Interit. Ai ka dalë kampion i Italisë me ekipin zikaltër U15 dhe U17, duke mundur përkatësisht në finale Juventusin e Romën, ndërsa është vlerësuar si një talent edhe për ekipet kombëtare të moshave të Italisë. Çepele ishte pjesë e Italisë U16 e U17, ndërsa më pas zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë. Tashmë hodhi hapin e madh duke u grumbulluar në kombëtaren e të rriturve të trajnerit Reja, dhe shpreson të debutojë sa më shpejt. Mbrojtësi synon të ecë në gjurmët e një tjetër talenti difensiv që vjen nga Italia, mbrojtësit të Veronës, Marash Kumbulla.

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, bëri publike listën e lojtarëve për ndeshjet në Bjellorusi dhe me Lituaninë në Ligën e Kombeve. Shqipëria luan në fushën e Bjellorusisë në 4 shtator, dhe pret Lituaninë në “Arenën Air Albania” në 7 shtator.

Lista

Portierë: Berisha, Strakosha, Hoxha; Mbrojtës: Ismajli, Mihaj, Dermaku, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Çepele, Hysaj, Trashi, Memolla; Mesfushorë: Lenjani, Gjasula, Ramadani, Abrashi, Bare, Selahi, Laçi, Roshi, Uzuni; Sulmues: Kamberi, Sadiku, Broja, Balaj, Cikalleshi, Manaj.

Sfidanti.al