Briken Calja rikthehet te medaljet

Shqipëria e peshëngritjes ka mbyllur me një medalje të bronztë pjesëmarrjen e saj në Çmimin e Madh të Katarit, medalje që mban firmën e Briken Caljes. Ndërkohë kampioni tjetër i shtangës kuqezi, Erkand Qerimaj, ka shënuar rezultat më të lartë në dygarësh, duke u klasifikuar i katërti. Çmimi i Madh i Dohas është gjithashtu edhe kualifikues për Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që e bën edhe më të rëndësishëm këtë aktivitet. Por të dy shtangistët shqiptarë konkurruan në peshën 81 kg, e cila nuk është një peshë olimpike. Kujtojmë se Shqipëria e shtangës, si asnjëherë gjatë këtyre dekadave të fundit, aktualisht nuk ka asnjë sportist brenda normës olimpike, ndërsa shpreson që të sigurojë bileta për në Paris gjatë dy eventeve të radhës. Duke u rikthyer te gara e “Grand Prix 2” e zhvilluar të shtunën në Doha, Calja dhe Qerimaj konkurruan në Baterinë A të peshave 81 kg. Në stilin e shkëputjes, Briken Calja shkëlqeu, duke kaluar me sukses provën me 155 kg. Shtërmenasi ngriti fillimisht 142 në provën e parë, ndërsa në të dytën 155 kg, duke siguruar medaljen e bronzit, ndërkohë që nuk i fut për provën e tretë. Një rezultat i rëndësishëm për Caljen, i cili rikthehet te medaljet në evente prestigjioze ndërkombëtare pas rreth 2 vitesh. Ndërkohë Erkand Qerimaj, nuk ia doli në provën e parë me 151 kg, për të kaluar me sukses provën e dytë me 153 kg.

Shkodrani provoi në tentativën e tretë me 156 kg, por nuk e kaloi, duke e mbyllur kështu shkëputjen në vend të katërt me 153 kg. Më tej ishte radha e stilit të shtytjes, aty ku Qerimaj e filloi me këmbë të mbarë, duke ngritur 183 kg, por më pas nuk i kaloi dy provat e tjera me 188 kg, duke e mbyllur kështu shtytjen me 183 kg, për të siguruar një tjetër vend të katërt, ashtu sikurse edhe në dygarësh me 336 kg. Për Briken Caljen stili i shtytjes ishte një dështim në të tria provat, fillimisht me 186 kg dhe më pas dy herë me 187 kg, duke mos u klasifikuar në dygarësh. Çmimi i Madh i Dohas ishte edhe eventi i fundit i peshëngritjes për këtë vit, ndërsa viti 2024 do të nisë me aktivitete tepër të rëndësishme, siç është Europiani që do të mbahet në Bullgari në shkurt, për të vijuar në fund të marsit me Botërorin e Tajlandës, që është edhe evenimenti i fundit kualifikues për olimpiadën.

sfidanti.al