Brazili është vërtet kandidat për titull, por falë Risharlisonit, jo Nejmarit!

Ky djalosh po bëhet burrë dhe nuk do t’ia dijë për njeri. Një futbollist si Risharlisoni ka arritur pjekurinë e duhur futbollistike dhe ajo që bëri në debutimin në Botëror ishte e denjë për një film. Ylli sulmues i Brazilit dhe i Totenhemit la në hije vetë Nejmarin duke shënuar 2 gola ndaj Serbisë, në fitoren po 2-0. “Titulli i gjashtë botëror është çështje kohe”, shpërthyen tifozët në rrjetet sociale, ndërsa Risharlisoni pati 2 gola në debutimin në Kupën e Botës, siç pati 2 gola në debutimin në Champions këtë sezon! Aspak gjë e vogël! Gjithsesi, Brazili fut frikën jo vetëm me të, pasi në sulm janë edhe Nejmar, Vinisius dhe Rafinja, ndërsa nga stoli erdhën Rodrigo, Martineli, Antoni dhe Gabriel Zhezus. Vështirë që ndonjë ekip të ketë pasur një potencial të tillë sulmues.

Serbia rezistoi për më shumë se një orë, por pasi pësoi gol nuk pati shumë për të ofruar. Brazilianët realizuan 22 gjuajtje drejt portës ndaj 5 të kundërshtarëve, dhe 8 në kuadrat ndaj 0. Zotërimi i topit, 59 me 41 për qind! Në stol për trajnerin Tite ishin edhe Militao, Fabinjo apo Ederson. Kasemiro u mburr shumë nga mediat britanike, madje BBC shkruajti se mesfushori i Man. Junajtidit duhej të ishte shpallur lojtari i ndeshjes, duke i ngjarë një Roi Kini të dikurshëm.

Brazil-Serbi 2-0 (Risharlison 62’, 73’)

Brazili (4-2-3-1): Alison, Danilo, Markinjos, Tiago Silva, Aleks Sandro, Kasemiro, Paketa (Fred 75’), Nejmar (Antoni 80’), Rafinja (Martineli 87’), Risharlison (Gabriel Zhezus 79’), Vinisius (Rodrigo 76’).

Serbia (3-4-2-1): V. Milinkoviç-Saviç, Milenkoviç, Veljkoviç, Pavloviç, Zhivkoviç (Radonjiç 57’), Lukiç (Lazoviç 66’), Gudelj (Iliç 57’), Mladenoviç (Vlahoviç 66’), Tadiç, Mitroviç (Maksimoviç 83’), S. Milinkoviç-Saviç.

Sfidanti.al