Borxhet e Serisë A gati 800 milionë euro, dhe fare pak nga Kovidi

Ankesat kanë qenë të shumta së fundmi, dhe mendimi i përgjithshëm mbetet që sapo të kalojë kjo “flamë”, gjithçka do të kthehet si më parë. Në Serinë A, për fat të keq, nuk paska një “kohë të bukur të dikurshme” sepse lajmet janë që borxhet në kampionatin e madh në Apenine janë bërë “mal” shumë kohë para Kovidit. “La Gazeta delo Sport” bën një investigim dhe nxjerr se detyrimet e klubeve arrijnë në 784 milionë euro, pra gati 800 milionë, dhe nga këto vetëm 100 milionë janë shkaktuar kohët e fundit nga epidemia.  Çfarë ka ndodhur në kampionatin që dikur quhej “më i bukuri në botë”? Në 10 vitet e fundit borxhet qenkan dyfishuar. Logjika ta do që këto kohë shpenzimet kanë qenë më të mëdha sesa të ardhurat, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur standardet e së kaluarës, kur Italia nuk ishte kaq në krizë sa sot, ndërsa klubet italiane nuk janë aq tërheqës për të huajt sa që të investojnë siç bëjnë p.sh. në Angli, apo kultura nuk është e tillë si në Gjermani ku nuk i hyjnë aspak këtyre aventurave edhe duke e ditur se nuk do ta fitojnë kurrë Championsin (me përjashtim të Bajernit).

Sfidanti.al