Emri i Zlatan Ibrahimovic nuk u shkrua në tabelën e golashënuesve në fitoren 3-0 të Suedisë ndaj Kosovës. E megjithatë 39 vjecari e la gjurmën e tij edhe në këtë sfidë. Sepse Ibrahimovic shkëlqen edhe në Kombëtaren e tij ku u kthye pas një periudhe të gjatë kohe dhe pasi u rikthye protagonist në Itali dhe Evropë.
Pasi dha një assist spektakolar në ndeshjen me Gjeorgjinë, Zlatan e konfirmoi veten edhe në golin e avantazhit 1-0 ndaj ‘Dardanëve’ duke dhuruar një tjetër perlë për Augustinsson; një pasim me takë mahnitës. Më pas ai u bë protagonist edhe në pasimin që nxori zbuluar Isak në golin e dytë
Me fjalë të tjera, askush nuk kishte dyshime se Ibra do të ishte protagonist edhe me fanelën e Suedisë dhe ashtu ndodhi. Tani sulmuesi i Milanit dëshiron të ecë para me kombëtaren dhe të mos mjaftohet me 67 minutat që luajti ndaj Kosovës. Të mërkurën është miqësorja me Estoninë dhe sipas programit do të duhet të rrijë pushim përpara kthimit në Itali ditën e enjte
Ndërkaq, Ibrahimovic i gëzohet momentit të tij me përfaqësuesen suedeze.
‘U ktheva për të ndihmuar skuadrën-tha Ibrahimovic-kështu që nuk jam unë ai që duhet të shënoj, kam bërë shumë gola.U thashë djemve se do t’i nxirrja në pozicione shënimi, do t’i ndihmoj të vendosin rekorde.Jam me të vërtetë i kënaqur. Ndihem mirë. Nuk jam i lodhur. Luajtëm shumë më mirë, treguam grintë dhe mentalitetin e duhur. Ka ekuilibër të mirë në skuadër mes të rinjve dhe të vjetërve. Trajneri ka gjetur taktikën perfekte. Ishim vendosur mirë në fushë. Jam i kënaqur’.
Sfidanti.al